04.05.2012 Një rënie e konsiderueshme e lirisë së shtypit ndodhi në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore / Euroazisë gjatë vitit 2011, tha vrojtuesi me qendër në SHBA Freedom House në një raport të martën (1 maj).
Zona përfshin të 15 ish-republikat sovjetike, Republikën Çeke, Hungarinë, Poloninë, Sllovakinë dhe Slloveninë, plus nën shtetet e Ballkanit — Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën (BiH), Bullgarinë, Kroacinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Rumaninë dhe Serbinë.
Sondazhi i përvitshëm i vrojtuesit Freedom of the Press mbulon një total prej 197 vendesh dhe territoresh në botë. Ai vlerëson nivelin e lirisë së medias në bazë të 23 pyetjeve metodologjike dhe 109 treguesve të ndarë në tre kategori të gjera: mjedisi ligjor, mjedisi ekonomik dhe mjedisi ekonomik. Bazuar në rezultatet e tyre, nga 0 (më e mira) në 100 (më e keqja), vendet më pas vlerësohen si “të lira” (1-30 pikë), “pjesërisht të lira” (31-60), ose “jo të lira” (61-100).
Nga 197 vendet në sondazh, 66 (33.5%) u klasifikuan si “të lira,” 72 (36.5%) si “pjesërisht të lira” dhe 59 të tjerat (30%) si “jo të lira”.
Në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore / Euroazisë, grupi më i madh ishte ai me vende “pjesërisht të lira,” duke përfshirë nëntë vendet e Ballkanit plus katër të tjera, ose 45% nga totali. Nga 16 të tjerat, vetëm shtatë, ose 24% nga totali, u renditën “të lira” dhe nëntë të tjerat, ose 31%, ishin në grupin “jo të lira”.
Vetëm 15% e popullsisë që jeton në atë zonë kishin akses në median e lirë, “përqindja më e vogël që prej vitit 2003,” tha Freedom House, duke theksuar se rënia ndodhi kryesisht për shkak situatës së përkeqësuar të medias në nënrajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore “që në përgjithësi ka performancë më të mirë”.
“Hungaria dhe Maqedonia pësuan rënie të madhe, edhe rezultati i Ukrainës ra gjithashtu,” tha Freedom House.
Maqedonia, e cila humbi dy pikë nga renditja e saj në raportin e grupit për vitin 2011, pësoi një rënie të mëtejshme prej gjashtë pikës këtë vit. Në bazë të rezultatit të saj të ri prej 54 pikësh, u rendit në vendin e 115 në lirinë e shtypit në botë, së bashku me Moldavinë.
Sylvana Habdank-Kolaczkowska, drejtoreshë e projektit Freedom House’s Nations in Transit, tha se rënia e mëtejshme e vendit ballkanik ndodhi për shkak se zhvillimet negative të konstatuara përpara sondazhit të vitit të kaluar “vazhduan dhe u përkeqësuan më tej” gjatë vitit 2011.
“Qeveria rriti kontrollin e saj për Këshillin e Radiotransmetimeve,” tha ajo për SETimes. “Shteti vazhdoi më tej me një çështje tatimore të motivuar politikisht, duke përfshirë paraburgimin e zgjatur për para gjyqit të Velija Ramkovskit, pronarit të katër mediave me pikëpamje opozitare. Mbyllja e grupit mediatik të Ramkovskit u jep një pozicion dominues mediave proqeveritare në treg.”
Duke qenë se shteti është gjithashtu reklamuesi më i madh në Maqedoni, këto ngjarje ngjallën “shqetësime serioze” mbi nivelin e pavarësisë editoriale të medias në vend, “veçanërisht ato në vështirësi financiare,” tha Habdank-Kolaczkowska.
“Numri i madh i padive për shpifje kundër gazetarëve … vazhdon të pengojë lirinë e shprehjes dhe inkurajon vetë-censurimin,” tha ajo.
Përveç gjobave të mëdha të imponuara mbi gazetarët në shumë prej këtyre rasteve, “shpesh ka edhe një kosto të lartë për t’u paguar — edhe në formë stresi — në rast ofendimi të figurave publike, sado legjitime kjo,” theksoi Habdank-Kolaczkowska. “Renditja e Maqedonisë me 54 pikë e vendos atë shtatë pikë larg kufirit të vendeve “jo të lira” në sondazhin Press Freedom.”
Ndërkohë që rezultati i njëjtë i Moldavisë e vendos atë në të njëjtin pozicion me Maqedoninë, këtë vit renditja është një pikë më mirë se në vitin 2011.
“Përmirësimet më mbresëlënëse” në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore / Euroazisë erdhën nga Gjeorgjia, e cila shënoi 52 pikë këtë vit, nga 55 në vitin 2011, si edhe nga Kosova dhe Mali i Zi, të cilat shënuan përkatësisht 49 dhe 35 pikë, dy pikë më mirë se rezultatet e marra në periudhën e sondazhit të mëparshëm.
Vendet e vetme të tjera Ballkanike në rajonin e gjerë që përmirësuan renditjet e tyre ishin Kroacia dhe Rumania, të cilat u përmirësuan me nga një pikë në 40 dhe 41 pikë përkatësisht. Megjithatë, rezultati i Rumanisë ishte më i ulëti që iu dha vendeve anëtare të BE-së.
Bullgaria fqinje, e cila u rendit për herë të fundit mes vendeve “të lira” në sondazhin e Freedom House për vitin 2003, humbi një pikë në renditjen e saj për të tretin vit radhazi, duke përfunduar me 36 pikë këtë vit.
Duke cituar sondazhe të tjera ndërkombëtare mbi lirinë e shtypit, në të cilat Bullgaria doli gjithashtu më keq se vitet e kaluara, Antoaneta Tzoneva, drejtoreshë e Institutit për Zhvillim të Mjedisit Publik me qendër në Sofje, tha se rezultati i ri i vendit nuk është për t’u çuditur. Ai vetëm konfirmon një tendencë të dukshme negative.
“Tregu i medias është përqendruar së tepërmi në duart e vetëm pak grupeve rivale, dhe secili prej tyre lufton të merret me sy të mirë nga qeveria,” tha ajo për SETimes. “Ato nuk drejtohen nga interesat afatgjata dhe linja e tyre kryesore e biznesit nuk është sektori i medias. Prandaj, korporatat e fuqishme në këtë fushë shfrytëzojnë median si një vegël për të ushtruar influencë.”
Tzoneva vërejti gjithashtu se mbulimi i disa temave ishte thjesht tabu; kishte censurim dhe vetë-censurim.
“Në fund, në vend që të veprojnë si qen vrojtues, disa media janë kthyer në këlyshë të vegjël që ulen në këmbët e qeverisë, duke pritur një copë mishi,” tha ajo.
Rezultati i ri i Shqipërisë prej 51 pikësh ishte një pikë më keq se vitin e kaluar, ndërsa Serbia rrëshqiti me dy pikë në 35. Për të tretin vit radhazi, BiH mori 48 pikë.
Qiproja dhe Greqia, të cilat u vendosën në grupin e Evropës Perëndimore së bashku me Turqinë dhe 22 shtete të tjera, morën përkatësisht 22 dhe 30 pikë. Ato janë vendet e vetme të Evropës Juglindore mes 66 vendeve “të lira” në botë. Rezultati i Turqisë prej 55 pikësh është një pikë më pak se ai i dhënë në vitin 2011.
Burimi : SETimes.com