Maqedonia ka ende shumë punë për të bërë sa i përket luftës kundër korrupsionit, ka deklaruar kryetarja e organizatës joqeveritare Transparency International – Maqedoni, Sllagjana Taseva, menjëherë pas publikimit të Indeksit të Perceptimit të korrupsionit për vitin 2012, ku Maqedonia radhitet në vendin e 69 –të, nga gjithsej 176 vende, me 43 pikë.
“Mendoj se këto rezultate paraqesin indikator shumë serioz se në Republikën e Maqedonisë duhet shtuar aktivitetet sa i përket luftës ndaj korrupsionit në institucionet shtetërore, veçanërisht duhet kushtuar më shumë kujdes sektorëve të ndjeshëm siç është sistemi gjyqësor, politika, që në një mënyrë duhet të paraqesin garanci për sundimin e së drejtës”, ka thënë Taseva, kryetare e Transparency International për Maqedoninë
Ndërkaq, qytetarët e Maqedonisë thonë se korrupsioni është i pranishëm më së shumti në sistemin gjyqësorë, polici dhe në Administratën publike.
“Korrupsion? Si nuk ka në Maqedoni?! Po mbrëmë më ka ndodhur mua, unë jam taksist, gjatë ngasjes së veturës nuk respektova rregullat e komunikacionit, më ndaloi policia dhe më kërkoi 500 denarë për të më lëshuar”, thotë qytetari i parë.
“Po korrupsion ka, në gjyqe më së shumti. Shihet ajo, më së shumti korrupsion ka ku është më interesant, në gjyq ose kur duhet të nxjerrësh ndonjë dokument me shpejtësi”, shprehet qytetari i dytë.
“Normalisht, gjithkund ka korrupsion , po shihet se këtu në Maqedoni është pak më tepër se në Evropë! Më të korruptuara janë Ministria e Punëve të Brendshme dhe gjyqet. Duhet të jepet para ose të kesh të njohshëm që të mund të kryesh ndonjë punë në kohë”, shprehet një tjetër qytetar i anketuar.
Nga ana tjetër, ekspertë juridikë konsiderojnë se Maqedonia ka shënuar përparim të konsiderueshëm, sa i përket harmonizimit të legjislacionit të vendit me atë të BE-së, por ligjet duhet zbatuar në formë joselektive për të parandaluar korrupsionin në institucionet shtetërore.
“Në Republikën e Maqedonisë legjislacioni i miratuar në bazë të direktivave të BE-së, shumë vështirë zbatohet në praktikë për disa arsye. Në radhë të parë kjo ndodh për shkak të shkallës shumë të ulët të pavarësisë së sistemit gjyqësorë dhe organeve të administratës gjatë ushtrimit të veprimtarive të tyre”.
“Fatkeqësisht në Maqedoni të gjitha shkallët e gjyqësorit, por edhe të organeve të Administratës shtetërore në një shkallë të lartë ende janë nën presionin e politikës, gjegjësisht të strukturave politike të ndryshme në vend. Në dështimin e luftës ndaj korrupsionit hise kanë dhe kërcënimet e ndryshme, të cilat ndodhin kundrejt bartësve të funksioneve publike si dhe pushtetit gjyqësor”, vlerëson Ruhi Bakiu, ekspert juridik.
Ndryshe, Indeksi i Perceptimit të korrupsionit është indikatori kryesor i korrupsionit në sektorin publik, i cili ofron një pamje vjetore të problemit të korrupsionit në gjithë botën.
Burim: Radio Evropa e Lire