Shkup, 7 dhjetor 2012 (MIA) – Me konferencën në të cilën për herë të parë në një tryezë u ulën përfaqësues të Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit, të sektorit joqeveritar, të Ministrisë së Drejtësisë, sektorit privat dhe organizatave ndërkombëtare OSBE dhe UNDP, sot u shënua Dita ndërkombëtare për luftë kundër korrupsionit, 9 dhjetori.
Maqedonia, siç theksuan pjesëmarrësit në konferencë, ka përparuar në luftën kundër korrupsionit, por vërehet në implementimin e ligjeve.
Në bazë të hulumtimit të bërë nga OSBE-ja dhe KSHPK-së për perceptimin e korrupsionit në sferat arsim dhe sport, administratë publike, media dhe shoqëri qytetare, e përgjithshme është përshtypja se korrupsioni është shumë i pranishëm.
Shumica e qytetarëve mendojnë se Qeveria me të vërtetë angazhohet për parandalim të korrupsionit, por serioze është vërejtja se lufta në parandalimin e korrupsionit është shumë selektive, joobjektive dhe e padrejtë. “Edhe ky është problem për Maqedoninë”, konsideron Mira Dimovska, anëtare e KSHPK-së.
Hulumtimin e bëri Rejting ndaj 1.080 qytetarëve sipas zgjedhjes së rastësishme.
“Korrupsioni, nga këto tre sfera, qytetarët më së shumti e perceptojnë në administratën publike, në nivel kombëtar dhe lokal, sfera e dytë janë mediat, në të tretin arsimi, mëtej organizatat joqeveritare, dhe sporti, posaçërisht, sporti profesional. Nga arsimi, më së shumti korrupsion perceptohet në arsimin e lartë. Si më i korruptuar vlerësohet sektori sport profesional, ndërsa problemi shihet më së shumti në udhëheqësitë e klubeve sportive. Sa i përket mediave e përgjithshme është përshtypja e qytetarëve se ekziston shkallë e lartë e partizimit dhe politizimit edhe të organizatave joqeveritare”, tha Dimovska.
Janë parashtruar pyetje edhe për atë se nëse qytetarët kanë përvojë të posaçme me ryshfetin. “Nëntëdhjetë e tre për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk kanë përvojë të drejtpërdrejt, që në krahasim me disa vende të tjera flet se ryshfeti nuk është edhe aq i pranishëm si një formë e korrupsionit. Dukshëm se format e tjera janë më aktuale. Qytetarët që janë prononcuar se kanë dhënë ryshfet, kanë thënë se ryshfeti sa shkon drejtpërdrejt aq shkon përmes ndërmjetësuesit, sa e kërkojnë aq edhe vetë e ofrojnë qytetarët. Kryesisht shkon në të holla”, thotë Dimovska.
Është paralajmëruar se projekti do të vazhdojë dhe se KSHPK-ja do të hulumtojë edhe në sektorët e tjerë, në bashkëpunim me OSBE-në dhe Transparensi interneshënëll.
KSHPK deri më tani ka ngritur 130 iniciativa deri te Prokuroria publike, por e vogël është për qindja e realizimit të tyre. E pyetur që ta komentojë këtë, Dimovska thotë se qeverisja e të drejtës do të thotë se ky institucion ta bëjë pjesën e vet të punës, që do të thotë të bëjë hetim të mirë, t’i mbledhë të gjitha dëshmitë…
Sllagjana Taseva theksoi se vetëm kështu bashkarisht mund të luftojmë kundër korrupsionit. “Sipas indeksit të publikuar para dy ditësh pamë se Republika e Maqedonisë edhe kësaj radhe gjendet nën gjysmën gjegjësisht ka 43 pikë, që është indikator se kemi shumë punë në luftën kundër korrupsionit”, tha Taseva.
Elementi kyç që i mungon Republikës së Maqedonisë në luftën kundër korrupsionit, siç tha Taseva, është vullneti politik.
Përfaqësuesi i BE-së, Robert Lidëll theksoi se të gjitha institucionet dhe kompanitë janë përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit. Ai u përqëndrua në Raportin pozitiv për progresin e Maqedonisë, duke theksuar se lufta me korrupsionin është një prej simboleve më të rëndësishme për çdo vend që dëshiron ta realizojë perspektivën evropiane.
Mile Boshkov, kryetar i Biznes konfederatës theksoi se në drejtim të përmirësimit të luftës kundër korrupsionit është nxjerrja e Kodeksit etik afarist në drejtim që ta përmirësojmë edhe vetëdijen tek punëdhënësit.
burim: MIA