16.02.2015 Rasti me punëtorët e “Rade Konçar – servisim dhe riparim i produkteve elektrike SHPK” është një shembull klasik se si shteti nuk i mbron denoncuesit e krimeve, gjegjësisht në vend që t’i mbrojnë ato, dhe të ndjek penalisht të denoncuarit, shteti heshtur, ndërsa punëtorët pasi që kanë denoncuar krimin në institucionet përkatëse, ata kanë humbur vendin e punës.
“Jepi maskë njeriut dhe do të tregon të vërtetën” është thënia e Oskar Vajld me të cilën vërtetohet se anonimiteti jep mbrojtje, gjegjësisht vetëm njeriu me identitet të pazbuluar mund të vepron pa frikë nga pasojat. Kurse nga ana tjetër dihet se vetëm një denoncues i veprave kriminale mund të rrëzon një qeveri nëse i posedon informatat e vërteta. Por çfarë ndodh në Maqedoni me ato që pa maskë, me emër dhe mbiemër denoncojnë korrupsion ose ndonjë krim?
Edhe pse të janë të pakët, veçanërisht në rastet kur punëtorët i denoncojnë punëdhënësit kur këto fitojnë të holla me injorimin e detyrimeve ligjore ndaj shtetit, përsëri ata që kanë mbledhur guximin të bëjnë këtë hap – pësojnë. Në vend që të mbrohen denoncuesit, siç supozohet, duke ndjekur një logjikë të shëndoshë dhe ligjin, ata dënohen, dhe për këtë shkak numri i informuesve që njoftojnë për krime vazhdon të zvogëlohet. Terminologjia juridike personat e tillë i njeh si whistleblower (fishkëllues ose denoncues), kurse ligjet rregullojnë mënyrën e mbrojtjes dhe pse qytetarët e tillë të vetëdijshëm nuk duhet t’i vuajnë pasojat. Për shembull, në Ligjin për parandalimin e korrupsionit ka disa dispozita për mbrojtje indirekte.
Sipas parimit të barazisë do të parashihet që “secili qytetar, duke mos vuajtur pasoja të dëmshme, do të ketë të drejtë të parandalon ose denoncon keqpërdorimin e funksioneve dhe detyrave zyrtare ose të tjera, me të cilat sigurohet fitim personal ose i shkaktohet dëm palës tjetër”.
Ka shumë kapituj të tjerë që janë në anën e denoncuesve të krimeve, por në praktikë kjo është vështirë e zbatueshme. Ka raste, për shembull, kur punëtorët kanë dyshuar dhe kanë denoncuar krimin tek drejtorët dhe në vend të një përfundimi ligjor ata janë larguar nga vendi i punës. Shembujt e tillë vetëm dekurajojnë denoncuesit e ardhshëm që në mënyrë të dokumentuar, me prova, të sfidojnë autorët e krimeve.
DHJETËRA PUNËTOR QËNDROJNË PAS DENONCIMIT KUNDËR DREJTORIT
Rasti me punëtorët në ”Rade Konçar servisim dhe riparim i produkteve elektrike SHPK” (firmë e “Rade Konçar – Aparate teknike SHA”) është rast klasik që tregon se si shteti nuk mbron denoncuesit e krimeve, gjegjësisht mbron ato kur denoncojnë, dhe ndjek të denoncuarit, por shteti hesht derisa punëtorët humbin vendet e punës për shkak të denoncimit të krimeve tek institucionet kompetente.
Që më qartë të kuptohet mënyra si disa punëtorë kanë humbur vendet e punës, edhe pse pohojnë se kanë zbuluar krime milionash tek eprorët e tyre, do t’ju shpjegojmë mënyrën se si ato kanë dyshuar se paratë nga shitja e bakrit, trafo-vajit, transformatorëve dhe teneqeve, në vend të llogarisë së firmës kanë përfunduar në vend tjetër.
Gjegjësisht, mbeturinat e bakrit, që kanë mbetur në ndërmarrje, sigurisht që është dashur të shiten. Shoferët kanë pasur obligim, pasi të ngarkohet kamioni, me tre fleta arke, ku njëra ka mbetur në zyrën administrative që të dalin nga ”Rade Konçar servisim dhe riparim i produkteve elektrike SHPK”. Sipas kryetarit të organizatës sindikate, Marjan Popovski, bakri është transportuar deri tek firma “Euromak metal”, ku pasi të matej pesha, pagesa është kryer në dorë por gjithmonë tek përfaqësuesi i servisit ”Rade Konçar”. Pastaj ky ka kryer pagesën në selinë e firmës me vërtetime të rëndomta për arkëtim, ku është shënuar pesha, çmimi për kilogram si dhe çmimi i përgjithshëm i vlerës së mbeturinave për atë dërgesë të bakrit.
Popovski, por edhe kolegët e tij thonë se paratë e tillë të paparaqitura janë dorëzuar në duart e drejtuesit Ace Antevski dhe drejtorit komercial Kosta Kançeski dhe për këtë kanë prova me shkrim. Por, çfarë ndodh më tutje? Punëtorët tregojnë se eprorët kanë pasur obligim që paratë e tilla t’i paraqesin, gjegjësisht ti transferojnë në llogarinë legale të ndërmarrjes, dhe pastaj të paguajnë tatime përkatëse, në të vërtet ato i kanë fshehur. Bashkëbiseduesit tanë kanë dyshuar se drejtorët i marrin paratë për veten, gjegjësisht ato para kanë përfunduar në llogaritë e tyre private.
Për të hapur rast me dyshimet, ata kanë denoncuar në Drejtorinë për të ardhura publike, që sipas teorisë juridike janë bërë denoncues (whistleblowers). Më vonë, sipas vërtetimeve për arkëtim, që janë me nënshkrime dhe vulë, Drejtoria për të ardhura publike ka konstatuar se ka pasur gjithsej 24 milionë e 185 mijë denarë të parave të tilla të paparaqitura. Duke ndjekur procedurën, DAP ka lëshuar vendim për pagesë të tatimeve, që në këtë rast ka qenë i fshehur. Sipas dokumenteve të DAP, vetëm për TVSH firma është dashur të paguan 4 milionë e 350 mijë denarë!
Në denoncimin për evazion fiskal tek DAP punëtorët kanë paraqitur Ace Antevskin, por edhe për djalin e tij Goran Antevski, i cili drejton një firmë tjetër në kuadër të “Rade Konçar” – transformator dhe instalime elektrike”. Për të mbrojtur vendet e tyre të punës, punëtorët kolektivisht kanë mbështetur denoncimin. Paralelisht me njoftimin tek DAP, punëtorët i kanë shkruar edhe kryeministrit se në ndërmarrjen e tyre ndodh krim i ngjashëm me dosjen “Merimanga” me Velija Ramkovski nga televizioni A1, rast të cilin e krahasojnë me rastin e tyre, sipas mënyrës së evazionit të tatimit. Por, kanë njoftuar edhe organizatën Transparensi Interneshënël.
Vërtetim se ka pasur evazion të tatimit është edhe vendimi i Ministrisë së Financave me të cilin vërtetohet vendimi i DAP, ku në mënyrë precize theksohet se firma në evidencat e veta nuk ka shënuar se ka fletë-dërgesa dhe se nuk janë përgatitur fatura për shitje të mbeturinave, dhe gjithashtu është konstatuar se ka qarkullim të paevidentuar, me çfarë “Rade Konçar – servisim dhe rregullim të pajisjeve elektrike” ka shkelur procedurën si tatimpagues.
Përkundër pretendimeve të punëtorëve dhe dokumenteve të organeve shtetërore, drejtuesi i “Rade Konçar –servis” Ace Antevski deklaron se këto nuk janë të vërteta dhe se bëhen konstruksione për krim të supozuar me qëllim që të dëmtojnë firmën dhe atë personalisht.
“Në sistemin e “Rade Konçar” kjo është shoqata e vetme që punon me sukses dhe ka rritje të vazhdueshme. Kjo shoqatë ka punuar dhe punon sipas ligjit, i paguan rrogat rregullisht dhe paguan të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Para disa viteve kemi ndërprerë bashkëpunimin me shoqatat tjera në sistemin “Rade Konçar” dhe u ndërpre edhe ndihma që e jepnim, kështu që shkaktuam mllef dhe xhelozi tek drejtuesit e këtyre shoqatave. Pikërisht këtu gjendet përpjekja për njollosje të imazhit tonë, e drejtuar nga disa të ashtuquajtur punëtor sindikal. – pohon Antevski.
PSE PROKURORIA PUBLIKE NUK DEKLAROHET MBI DENONCIMIN?
Me vendimet e DAP dhe Ministrisë për financa, anëtarët e organizatës sindikale kanë bërë edhe një hap më tutje – janë inkurajuar dhe kanë dorëzuar padi penale kundër udhëheqësisë së firmës në Prokurorinë publike. Kështu, në mënyrë praktike ata kanë plotësuar obligimin qytetar dhe kanë paraqitur dyshim për krim, për të cilin kanë menduar se autoritetet kompetente do të reagojnë, veçanërisht pasi kanë qenë të bindur premtimeve të pushtetit se në Maqedoni nuk ka qasje selektive në luftën kundër krimit. Por, a ka ndodhur kjo?
Padia penale fillimit është dorëzuar kundër Ace Antevski dhe djalit të tij Goran Antevski, pastaj është zgjeruar tek vajza e Antevskit, drejtoresha financiare Vladanka Trajkovska, drejtorin komercial Kosta Kançevski, drejtorin për prodhim Zoran Tripunovski dhe tek drejtuesi i prodhimit Pavle Kapedanovski. Në këtë mënyrë punëtorët kanë qëndruar kundër të gjithë drejtuesve të firmës me qëllim që të japin prova se kanë evaduar tatime, kanë larë para, kanë mashtruar shërbimin, duke vepruar në një grup të organizuar – shoqërim kriminal. Kështu kanë shënuar edhe në denoncimin e përbashkët.
Edhe pse kalon viti i tretë, provat me shkrim që kanë ofruar punëtorët vazhdojnë të jenë relevante, Prokuroria publike vazhdon të hesht dhe nuk deklarohet nëse dhe kur do të nis aktakuzën. Kjo për punëtorët është vërtetim se drejtësia, është në të vërtet selektive. Prokuroria publike nuk iu përgjigj as pyetjes së “Fokus” për këtë dosje. Punëtorët kërkojnë përgjegjësi nga drejtorët për shumë se 24 milionë denarë. Kurse në gjyq zhvillohet proces tjetër për rastin e njëjtë, por për një shumë më të vogël, e nisur nga Prokuroria publike, por pas denoncimit të organit shtetëror, e jo atë të organizatës sindikale.
Punëtorët nuk duan të supozojnë se pse prokurorët nuk nisin procedurë kundër drejtorëve të tyre dhe pyesin se kush i mbron nga krimi? Edhe pse pas vendimeve të DAP tatimi është paguar, përsëri sipas dokumenteve dhe pohimit të punëtorëve, kjo është bërë nga llogaria e “Rade Konçar – servisim dhe riparim i pajisjeve elektrike”, që praktikisht domethënë se paratë nga vërtetimet për arkëtim dhe fletë-dërgesat, ato për të cilat është konstatuar se janë evaduar dhe kurrë nuk janë paguar në llogarinë e firmës, përsëri mungojnë.
Ndryshe, djali i Ace Antevski është drejtuesi i firmës “Rade Konçar – transformator dhe instalime elektrike” SHPK, firmë 100 përqind në pronësi të “Rade Konçar – servisim dhe riparim i pajisjeve elektrike”, për të cilën autoritetet kompetente gjithashtu kanë konstatuar se evadon tatim. Sipas dokumenteve zyrtare, këtu shuma është shumë më e ulët. Është konstatuar se nëpërmjet fletë-dërgesave që nuk janë paraqitur – nuk janë faturuar rreth 800 mijë denarë, ose vetëm në bazë të TVSH firma nuk ka paguar rreth 150 mijë denarë.
Por, pasi janë dorëzuar vendimet e DAP, edhe kjo firmë është detyruar të paguan tatimin, për çfarë djali i Antevskit ka përdorur para nga llogaria e firmës, e jo nga ato që nuk i ka paraqitur derisa ka shitur mbeturina nga teneqja.
– Ne nuk e kemi të qartë pse edhe Drejtoria për të Ardhura Publike nuk nis procedurë penale për të ndjekur babanë dhe djalin dhe të punësuarit e tyre në udhëheqësitë e firmave, pasi që është e qartë dhe e dukshme se si kanë shkelur ligjin. Për këtë shkak ne ishim të detyruar vet ti denoncojmë, që penalisht të përgjigjen edhe për evadimin e tatimit, por edhe për shfrytëzimin e parave nga llogaritë e firmave. Nuk mund të kuptojmë pse nuk përfunduan me pranga në duar para kamerave televizive, siç është praktik në këtë shtet! E gjithë kjo na jep të drejtë të pyesim se ku janë paratë që rregullisht nëpërmjet vërtetimeve për arkëtim ua jepnim drejtorëve në duar? Çfarë është bërë me ato para? A përdoren për blerjen e aksioneve dhe obligacioneve në firmat e holdingut “Rade Konçar –teknikë pajisjesh”? Pasi që njerëzit e njëjtë tërë kohën blejnë aksione dhe obligacione dhe dalëngadalë marrin pronësinë – shpjegon Marjan Popovski.
Dyshimet e tilla nga “Rade Konçar – servis” hidhen poshtë, duke thënë se në të vërtet bëhet fjalë për disa punëtor, që nuk kanë qenë të zellshëm dhe të ndershëm.
“Ata, të nxitur nga të tjerë, kanë gërmuar në firmë duke u munduar të dëmtojnë drejtuesin dhe kompaninë. Për punën e tyre, ata janë shpërblyer me atë që janë punësuar në firmë tjetër nga sistemi “Rade Konçar”. Duke vepruar me dokumente të shpikura, DAP na detyroi të paguajmë tatimet që supozohet se janë evaduar, por Gjyqi Administrativ, duke vepruar sipas padisë së tyre dhe duke pranuar argumentet e arsyetuara ka kthyer procedurën në vendim të serishëm. Është e dukshme se pikërisht fakti që ne blejmë aksione nga holdingu brengos nxitësit e të ashtuquajturve sindikal si Marjan Popovski dhe Gjore Rsitevski” – thotë Antevski.
SI KANË MBETUR PA PUNË PIKËRISHT DENONCUESIT?
Derisa organet shtetërore kanë vërtetuar mangësi gjatë paraqitjes së qarkullimit dhe mosparaqitjes së tatimeve, udhëheqësia e firmës ka nisur t’ju hakmerret punëtorëve – përkundër parimeve për mbrojtjen e denoncuesve të krimeve.
Kemi folur me disa të punësuar që u prezantuan si viktima, të cilët pasi kanë paraqitur rastin tek organet kompetente nuk janë të qetë, por akoma më keq – një numër i madh i tyre kanë mbetur papunë. Përveç që kanë dashur nëpërmjet procedurës penale të vërtetohet përgjegjësia e udhëheqësve dhe abuzimeve me paratë, punëtorët sindikal kanë dashur të zhvillohet kontroll financiar për 10 vitet e fundit pasi që dyshojnë se edhe në mënyra tjera vidhen para, kurse pastaj blihen aksione dhe obligacione nga firmat e “Rade Konçar – teknikë pajisjesh”. Por përpjekjet e tyre ndoshta edhe do ishin të suksesshme, mos të pengoheshin duke u larguar nga vendi i punës. Një nga një, të gjithë janë larguar, dhe para së gjithash punëtorët që janë nënshkruar në padinë penale. Një pjesë prej tyre janë përfaqësues sindikal, si për shembull Marjan Popovski, Gjore Ristevski, Lazo Bozharov. Numri i punëtorëve të larguar nga puna, vetëm se kanë dashur t’ju kundërshtohen procedurave të paligjshme të drejtorëve arrin deri në shtatë punëtor.
Hapat e tilla të udhëheqësisë, jo vetëm që kanë lënë pa të ardhura disa familje por kanë ndikuar edhe në frikësimin e punëtorëve tjerë, anëtarë të sindikatës. Dalëngadalë, me largimin e punëtorëve, të tjerët janë tërhequr nga organizata sindikate.
– Në fillim të gjithë pesëdhjetë të punësuar ishim në sindikatë, tani ka vetëm tre. Thënë thjeshtë, me shumë presione dhe shantazhe na detyruan të tërhiqemi dhe arritën të na shndërrojnë në një sindikatë të jopërfaqësuese, që nuk ka mundësi të nis as një iniciativë për ndryshim të marrëveshjeve të punës, e as të kërkojmë të drejta më të mëdha të punëtorëve. Kemi ndjenjën se e gjithë kjo u bë në mënyrë sistematike. Nga njëra anë, disa i larguan nga puna kurse të tjerët i frikësuan. Pse? Vetëm për shkak se deshëm të punojmë në mënyrë ligjore dhe të drejtë – ankohet Zoran Gjeorgievski.
Tani të gjithë punëtorët kanë dorëzuar padi në gjyq për largim të paligjshëm nga puna. Disa prej tyre kanë vendime nga gjyqi për tu kthyer në punë dhe për t’ju paguar dëmshpërblim, disa akoma presin vendimin e Gjykatës së Apelit. Popovski, për shembull ka 30 muaj që është larguar dhe akoma pret vendimin e gjykatës. Interesante është se Gjorgjia Ristevski është kthyer në punë, por pastaj përsëri është larguar nga puna. Tani ka vendim të ri të gjykatës në dobi të tij. Këtu duhet të theksohet se Ligji për marrëdhënie të punës në nenin 200, të titulluar si “mbrojtje e përfaqësuesve të sindikatës”, garanton mbrojtje nga zvogëlimi i rrogës, dhe veçanërisht nga largimi nga puna. Gjegjësisht, që dikush të largohet nga puna duhet të ketë pajtim nga organizata sindikale, që në këtë rast nuk është respektuar. Mbrojtja e përfaqësuesit të sindikatave zgjatë gjatë mandatit të tij dhe dy vjet pas kalimit të mandatit. Njëkohësisht edhe marrëveshja e përgjithshme kolektive për sektorin privat në nenin 58 ndalon largimin nga puna të përfaqësuesve të sindikatës. Këto dispozita ligjore janë të njohura edhe për udhëheqësinë e firmave, por për shkaqe të panjohura kanë vendosur të marrin hapa kundër përfaqësuesve të sindikatës.
NË GJYQ KA LËNDË, POR JO EDHE PËR DENONCIMIN NGA PUNËTORËT
Edhe pse Prokuroria publike nuk deklarohet për padinë penale të dorëzuar nga punëtorët, gjyqi është i njohur me rastin. Gjegjësisht, policia financiare e ka paraqitur Antevskin për një shumë më të vogël nga ajo që e kanë paraqitur punëtorët (rreth 200 mijë denarë). Në këtë rast gjyqësor, siç transmetojnë përfaqësuesit e sindikatës, drejtori ka deklaruar se fletë-dërgesat ku qartë shihen shumat e paguara nga mbeturinat me bakër kanë qenë të vjetra dhe se bakri nuk ka qenë në pronë të firmës por të palëve, si p.sh. EVN dhe firma tjera private, që në “Rade Konçar – servisim dhe riparim të pajisjeve” kanë lënë bakrin nga transformatorët e djegur. Por punëtorët thonë se bakri është bërë pronë e “Servisim dhe riparim të pajisjeve elektrike” pasi që firmave – bashkëpunëtore ju është ulur çmimi i shërbimit në vlerë prej 30% nga çmimi i mbeturinave të bakrit.
Për tu mbrojtur nga sulmet me padi penale, vet Antevski ka dorëzuar kontra-padi. Ai ka paditur “Rade Konçar – veprimtari të përbashkëta” SHPK, nën kontrollin e së cilës funksionon zyra për rregjistrim. Sipas padisë, faji për të gjithë rastin është i tyre pasi që ato kanë pasur obligimin që të faturojnë të gjithë ngarkesat me kamionë që kanë dalë nga portat dhe janë nisur për shitje. Të punësuarit thonë se nuk kanë të drejtë të bëjnë këtë, gjegjësisht ata munden vetëm të evidentojnë fletë-dërgesat dhe t’i dorëzojnë ato. Ashtu edhe kanë vepruar. Më sa duket, dikush tjetër është dashur t’i faturon.
Me padinë e tillë Antevski në të vërtet i akuzon për evidentim të parregullt kontabilist. Pasi punëtorët i kanë dorëzuar padi penale në prokurorinë publike, ai ka ndërprerë kontratën me “Rade Konçar – veprimtari të përbashkëta” dhe ka paraqitur dëm prej rreth katër milionë denarë, shumë e ngjashme me atë në vendimin e DAP. Por padia iu është refuzuar.
Sidoqoftë, këto dy procese tregojnë një mungesë të logjikes. Në procesin që është në zhvillim, në sallën e gjyqit Antevski deklaron se mbeturinat nuk janë të tija por të firmave-bashkëpunëtore, kurse në padinë që ka dorëzuar thotë se dikush tjetër nuk ka faturuar siç duhet, me çfarë pranon se bakri është i tij!?
Në kuadër të kësaj, nga drejtoria e “Rade Konçar – servis” theksojnë se përfaqësuesit e ashtuquajtur të sindikatës deri tani për rastin e njëjtë kanë dorëzuar rreth dhjetë padi penale me përmbajtje të njëjtë tek prokuroria publike, policia, policia financiare dhe organe tjera. Për shkak të këtij presioni, prokuroria ka dorëzuar aktakuzë të pavërtetuar për tatim të supozuar të evaduar prej rreth 200 mijë denarë, por për vitin 2005 dhe për 2006. Kjo procedurë penale është në zhvillim dhe nga udhëheqësia shpresojnë se akuza e tillë nuk do të kalon në gjyq dhe se do të kenë vendim pozitiv nga gjyqi.
Derisa Antevski pret vendim të gjyqit që do ta liron nga procesi që është në zhvillim, punëtorët presin proces të ri gjyqësor pas denoncimit të tyre. Sigurisht që, nëse Prokuroria publike e dëgjon “fishkëllimën” e denoncuesve.
Autor: Ljubisha ARSIÇ
“Transparency International Maqedoni zbaton projektin “Përfaqësimi për mbrojtje të parashtruesve përfshirë edhe mediat dhe shoqërinë qytetare”, të mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë Holandë. Artikujt investigativ janë përgatitur në kuadër të projektit megjithatë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Ambasadës së Mbretërisë Holandë”.