Sipas raportit të “Transparency International” Maqedoni (TI), institucionet me integritet më të lartë janë Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK), Enti Shtetëror për Revizion dhe Avokati i Popullit, gjegjësisht Ombudsmani. Të radhitur më poshtë ndodhen prokuroria, ndërmarrjet publike, sektori i biznesit dhe gjyqësori, raporton Portalb.mk.
Këto ishin gjetjet kryesore të prezantimit të sotëm të raportit të “Transparency International” Maqedoni për vlerësimin e Sistemit Kombëtar të Integrimit në Maqedoninë e Veriut, deri në fund të vitit 2022. Në të analizohen 15 shtylla kryesore në shoqëri, në mesin e të cilave ndodhen edhe institucionet e lartpërmendura, si dhe pushteti legjislativ dhe ekzekutiv, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, partitë politike, mediat, sektori civil, sektori publik, sektori joqeveritar, si dhe agjencitë e zbatimit të ligjit.
Të gjitha shtyllat janë vlerësuar sipas pesë boshteve, që janë integriteti, mjetet financiare, llogaridhënia, transparenca dhe pavarësia. Pastaj për çdo bosht vlerësohet nga 0 në 100 se sa i përcakton ligji në mënyrë adekuate rolet e tyre, sa realisht i përmbushin përgjegjësitë e tyre në praktikë dhe sa e përmbushin rolin e tyre në luftën kundër korrupsionit.
Një nga të dhënat më shqetësuese nga hulumtimi është pavarësia e gjyqësorit. Edhe pse është vlerësuar me 100 pikë për atë se sa saktë janë shkruar ligjet lidhur me pavarësinë e gjyqësorit, në praktikë është vlerësuar vetëm me 25 pikë.
Për të gjitha organet janë prezantuar edhe rekomandime për përmirësimin e integritetit të punës së tyre. Për shembull, Gjykatës Supreme iu rekomandua të rishikonte Kodin e Etikës për të përfshirë një organ të përhershëm për zbatimin e tij.
Sipas kryetares së TI-Maqedoni, Sllagjana Taseva, jo vetëm që nuk ka progres në shumicën e shtyllave në krahasim me raportin e vitit 2016, por vërehet edhe nivel më i lartë i korrupsionit.
“Është e qartë se institucionet e pavarura tregojnë integritet dhe gatishmëri më të mirë për ta luftuar korrupsionin. Ata që duhet të tregojnë kapacitet dhe gatishmëri më të madhe tregojnë rezultate më të këqija, si për shembull Prokuroria Publike dhe gjyqësori. Kulla e integritetit kombëtar ende nuk mund të qëndrojë stabile pa të gjitha këto shtylla”, tha Taseva.
Sipas saj institucionet e pavarura nuk respektohen për shkak të politizimit. Ajo i theksoi ngjarjet e fundit me M-NAV-në si shembull sesi në institucionet publike punësimi partiak dhe interesat personale janë prioritet gjatë punësimit në vend të shërbimit të popullit.
Në këtë event foli edhe zëvendës-ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian, Ben Nupnau, i cili e theksoi nepotizmin dhe ndarjen modeste të mjeteve si një nga pengesat më serioze për prosperitetin e Maqedonisë. Ai theksoi se nuk mjaftojnë vetëm strategjitë kundër korrupsionit, por se nevojitet lidership i fortë politik.
Biljana Ivanovska nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit foli për pengesat, por edhe uljet dhe ngritjet gjatë punës së komisionit.
“Ne nuk e kemi filluar nga zero, por nga disa pozicione nën zero, po të merren parasysh notat që Komisioni Evropian i ka dhënë për këtë institucion. Kemi bërë një analizë për dhjetëra vite më parë, deri në vitin 2019 ka pasur nota vërtet negative. Ne ia dolëm mbanë që ta rregullojmë gjithë këtë, por përsëri do të them se gjysmën e mandatit kemi pasur kushte të pandryshuara të punës, si në aspektin hapësinor, ashtu edhe në aspektin material, teknik dhe njerëzor”, u përgjigj Ivanovska në pyetjen e gazetarëve.
Portalb: https://shorturl.at/pDEJX