10.09.2009 Ministri i Ekologjisë, Netxhati Jakupi, dyshohet nga policia financiare për keqpërdorimin e 200 mijë eurove. Paraburgimi i shefit të kabinetit të tij, i cili u kap me 1000 euro ryshfet, la hapësirë për t’u hetuar edhe puna e ministrit, nëpërmjet të cilit kalojnë të gjitha aktivitetet brenda ministrisë. Sipas zyrtarëve të policisë financiare, hetimet bazohen në një sërë dyshimesh. Midis tyre vlejnë të përmenden rrogat e larta që i kanë marrë punonjës të caktuar të ministrisë. Hetimet e para kanë vërtetuar se shefi i kabinetit ka marrë rrogë mujore prej 4250 euro, ndërsa në listat e personave të angazhuar që kanë marrë honorare, janë gjetur edhe bashkëshorte të punonjësve të Ministrisë së Ekologjisë, të cilët asnjëherë nuk kanë punuar në ministri. Zyrtarët e policisë financiare kanë vërtetuar se në ministri u janë paguar honorare të larta personave me kontratë në vepër, për të cilat nuk ka evidencë të saktë nëse kanë punuar në projekte të ndryshme në sferën e ekologjisë. Dyshimet për keqpërdorime financiare nga ana e ministrit të Ekologjisë, Nexhati Jakupi, të enjten janë konfirmuar edhe nga drejtori i policisë financiare, Lubço Stamatovski.
Ai ka sqaruar se Jakupi gjendet nën hetim për keqpërdorim të mjeteve financiare nga buxheti shtetëror, por nuk ka mundur të jap detaje pa përfunduar hetimet.
“Ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të parave shtetërore nga ana e ministrit të Ekologjisë. Jemi në fazën e hetimit të këtyre dyshimeve, ndërsa detaje më të hollësishme mund të japim gjatë javës së ardhshme”, ka thënë njeriu i parë i policisë financiare, Stamatovski, duke sqaruar se me ministrin Jakupi, tanimë është zhvilluar biseda informative. Ndërkaq, dyshimet për keqpërdorime financiare në Ministrinë e Ekologjisë janë hedhur poshtë nga vet ministri Jakupi. Ai ka sqaruar se policia ka kontrolluar punën financiare të ministrisë, por nuk është e vërtet se brenda saj ndonjëherë ka pasur keqpërdorim të mjeteve buxhetore. “Policia financiare ka kontrolluar punën e financiare të ministrisë. Me inspektorët kemi bashkëpunuar në vazhdimësi, por jemi të bindur se nuk bëhet fjalë për keqpërdorime financiare”, tha Nexhati Jakupi, duke hedhur poshtë dyshimet për shpërdorim të mjeteve financiare.
Koha
Post Views: 138