20.10.2009 Maqedonia ka përparuar tetë vende në raportin e Reporterëve pa kufij (RSF) për liritë mediale në botë për vitin 2009 është vendi më mirë i ranguar nga Ballkani. Maqedonia në raportin për vitin 2009 gjendet në vendin e 34-të me 8,75 pikë negative, përderisa vitin e kaluar ishte në vendin e 42-të me 8,25 pikë.
Pas Maqedonisë nga vendet e rajonit më së miri e radhitur është Greqia (35), Sllovenia (37), BeH-ja (39), Rumania (50), vijojnë Serbia (62), Bullgaria (68), Kosova (75), Mali i Zi (77), Kroacia (78), Shqipëria (88), përderisa Turqia është e 122-ta.
Nga rajoni më i gjerë liri më të mëdha mediale ka në Hungari dhe në Qipro, të cilat ndajnë vendin e 25-të.
Në pesë vendet e para gjendet kuinteti i shteteve të Evropës veriore – Danimarka, Suedia, Irlanda, Norvegjia dhe Finlanda – të cilat nuk kanë asnjë pikë negative.
RSF-ja në raporton thekson se sivjet ka vazhduar rënia e lirive mediale në vende të shumta evropiane, përderisa me zgjedhjen e Barak Obamës për president janë rritur liritë e mediumeve në SHBA.
“Evropa do të duhej të jetë shembull për respektimin e lirive qytetare. Si mund të kritikoni mosrespektimin e të drejtave të njeriut në vendet tjera, nëse vetë në shtëpi nuk silleni siç duhet”, komenton Zhan Fransoa Zhuliard, sekretar i përgjithshëm i RSF-së.
Radhitja në raportin e sivjemë mbështetet vetëm në situatën midis 1 shtatorit të vitit 2008 dhe 1 shtatorit të vitit 2009 dhe nuk paraqet pasqyrë të përgjithshme për të drejtat e njeriut në ndonjë vend por vetëm e paraqet situatën me liritë mediale.