Raportet e ESHR-së tregojnë po ashtu se nga 131 raste të kontrolluara për keqpërdorim të mjeteve financiare, 72 raste tregojnë keqpërdorime të dyshuara të mjeteve buxhetore. Keqpërdorim të mjeteve financiare nga ana e institucioneve, ESHR-ja ka konstatuar pothuajse për çdo Qeveri, pavarësisht se cila parti ka udhëhequr me shtetit. Praktika e deri tanishme tregon se askush nga institucion shtetërore që ka keqpërdorur mjete financiare për nevoja të tyre personale, nuk është përgjigjur para organeve shtetërore.
Disa nga keqpërdorimet financiare janë konfirmuar edhe nga Organizata Joqeveritare “Transparencë-Zero Tolerancë”. Kryetarja e kësaj organizate, Sllagjana Taseva, ka theksuar se pamundësia e dëshmisë së ministrit të Jashtëm dhe atij të Transportit, dikastere këto ku u konstatuan keqpërdorime të mëdha, ka bërë që seancat parlamentare për antikorrupsion të shtyhen muaj me radhë. “Të jem e sinqertë, kjo Qeveri dhe Prokurori i tanishëm nuk do të ngrisin iniciativë për të dënuar ministritë që kanë kryer vepra kriminale, gjegjësisht keqpërdorim të mjeteve financiare”, thotë Taseva, sipas të cilës, asnjëherë nuk do të ngriten padi për keqpërdorime të mjeteve buxhetore, edhe pse të njëjtat nënvizohen në çdo raport antikorrupsioni. “Rasti i vetëm për të cilin pati epilog gjyqësor ka qenë afera ‘Stanet’. Por, edhe këtu organet gjyqësore u vunë në mbrojtje të ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, kurse u dënuan me burg vetëm aktorët e aferës, por jo dhe kthimin e parave të keqpërdorura në arkën shtetërore”, kujton Taseva, duke nënvizuar se secila përbërje qeveritare është e ngulfatur me korrupsion. Kryetarja e “Transparencë-Zero Tolerancës”, Taseva shprehet se ekzistojnë mekanizma mbrojtëse kundër keqpërdorimin te mjeteve buxhetore nga ana ministrave, siç janë Parlamenti, kryeministri dhe prokurori, por nuk ka vullnet politik për të dënuar aktorët që kryejnë vepra jo ligjore. Dyshime për keqpërdorim të mjeteve buxhetore, javë më parë konstatoi edhe policia financiare në Ministrinë e Ekologjisë, sipas të cilës, mbi 200 mijë euro kanë shkuar për rroga fikse dhe gjëra tjera që në raportin financiar të ministrisë nuk kanë gjetur mbështetje.