17.11.2009 “Transparensi interneshënël” këtë vit e rangoi Maqedoninë në vendin e 71-të, sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit me 3,8 pika indeksi. Me rangimin e sivjemë Maqedonia shënon zhvendosje për 0,2 pika indeksi, respektivisht për një vend në krahasim me vitin e kaluar kur ishte në vendin e 72-të me 3,6 pika indeksi. Vendin e sivjemë të 71-të, Maqedonia e ndan me vendet fqinje Bullgarinë dhe Greqinë, si dhe me Rumaninë.
“Me zhvendosjen e butë prej 0,2 pikave të indeksit dhe një vend në kuadër të rangimit të vendit, në krahasim me vitin e kaluar akoma ndodhemi nën pikat e indeksit 5, respektivisht nën rezultatet mesatarisht të mira. Kjo do të thotë se nuk duhet të jemi të kënaqur nga rangimi për shkak se me vendin e 71-të ndodhemi në shoqëri të vendeve në Bashkimin Evropian, të cilat janë shkak për shqetësim për shkak të problemit me korrupsionin”, vlerësoi sot në konferencën për shtyp, Sllagjana Taseva, kryetare e “Transparensi zero korrupsion”.
Sipas Tasevës, fakti që jemi më mirë për 0,2 pika indeksi nga viti i kaluar nuk tregon se e kemi mbajtur trendin e përmirësimit që e kemi pasur në dy vitet e kaluara, por kemi stagnim të caktuar të gjendjes.
Nga vendet e rajonit para Maqedonisë janë më mirë të ranguara Mali i Zi, e cila është në vendin e 69-të, Kroacia në vendin e 66-të dhe Turqia në vendin e 61-të. Prapa Maqedonisë janë Serbia në vendin e 83-të, Shqipëria në vendin e 95-të dhe Bosnja e Hercegovina në vendin e 99-të.
“Indeksi i korrupsionit tregon se korrupsioni mbetet sfidë serioze për mbarë rajonin. Të gjitha vendet e rajonit arritën rezultat më të ulët prej pesë, nga gjithsej 10 që tregon se ato ballafaqohen me nivele serioze të korrupsionit të perceptuar në sektorin publik vendor”, tha Taseva.
Shikuar në përgjithësi, thotë ajo, ekziston mosseriozitet në rikuperimin e krizës globale ekonomike dhe bëhet e qartë se nuk ka rajon që është imun ndaj korrupsionit.
Taseva theksoi se edhe në planin ndërkombëtar përforcohen masat për zbulimin e financave të dala nga veprimet korruptuese.
Hulumtimi për indeksin e perceptimit të korrupsionit ka përfshirë 180 shtete. Qëllimi është që të krijohet vetëdije publike për korrupsionin dhe klimë për ndryshime, si dhe të ofrohet imazh i qëndrimeve të biznesmenëve dhe ekspertëve, të cilët marrin vendime për tregti dhe investime. Hulumtimi tregon se vende më pak të korruptuara janë Zelanda e Re, Danimarka, Singapori dhe Suedia, të ranguara në tri vendet e para, me indeks prej rreth 9, ndërsa më shumë të korruptuara janë Iraki, Sudani, Mianmari, Afganistani dhe Somalia, të cilat ndodhet në vendet prej 176 deri 180 me indeks 1 deri 1,5. Maqedonia deri tani është ranguar nëntë herë sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit. Për herë të parë në vitin 1999 kur u gjet në vendin e 63-të me 3,3 pika, pas së cilës pasoi rangimi në vendin e 106-të në vitin 2003 me 2,3 pika indeksi, si dhe vendet 103 dhe 104 në vitet 2005 dhe 2006 me 2,7 pika dhe vendet 84 dhe 72 me 3,3, respektivisht 3,6 pika.
Burimi: MIA