Është fakt se askush nuk ndjek si harxhohen paratë publike ndërsa Parlamenti ka dy vite që ka ndaluar diskutimin publik për raportet e Entit shtetëror për revizion, institucion shtetëror ky i vetëm që konstaton shkelje të rënda. Por edhe përpos këtyre konstatimeve, indikativ është fakti se të rralla kanë qenë rastet kur është ngritur procedurë penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kuadër të furnizimeve publike.
Në zhargonin e ekspertëve kjo quhet “korrupsion legal” ndërsa shembull më eklatant është projektit Shkupi 2014 i cili përmendet dhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë.
Disa nga kontratat për punë nga projekti Shkupi 2014 u ndryshuan në raport me kriteret të cilat ishin dominuese në periudhën kur ato ndaheshin, duke u rritur shumat e pajtuara paraprakisht dhe rritjes së vëllimit të punës. Komisioni për Anti-korrupsion vërtetoi se fondet shtetërore shpeshherë keqpërdoren për fushata publike dhe materiali i shpenzuar dërgohet derisa tenderi përkatës ende ka qenë në rrjedhë e sipër. Realisht, nëse analizojmë të dhënat nga ueb faqja e Drejtorisë për furnizime publike, vërejmë anekse paradoksale që së bashku shumëfishojnë vlerën e marrëveshjes bazë.
Për shembull, Muzeu i luftës maqedonase që duhej të kushtojë 4 milionë euro, ja çfarë ndodhi në katër vitet e fundit:
– Skena masive: 1.000.000 euro
– Korniza për piktura: 100.000 euro
– Figura dylli: 1.500.000 euro
– Projekt për mobile: 200.000 euro
– Mobile: 818.000 euro
– Ndriçim: 220.000 euro
– Rregullimi i enterierit: 2.300.000 euro
GJITHSEJ: 13.000.000 EURO
Të gjitha marrëveshjet për punët e paparashikuara janë nënshkruar me kompaninë Beton – Shtip, me të cilën është nënshkruar edhe marrëveshja bazë. Për tender nuk kishte nevojë pasi këto “punë të paparashikuara” nuk e kalonin shumën prej 30% të marrëveshjes bazë.
Teatri duhej të kushtonte 4,5 milionë euro por në fund kaloi shumën e 30.000.000 eurove. Si? Dolën edhe shtatë marrëveshje të reja për shpenzime plotësuese si shpenzime për instalime, për skulptura gjipsi, pajisje, ndriçim, punë mekanike, mbikëqyrje projektuesi … të gjitha këto kushtuan mbi 25.000.000 euro, kështu që i gjithë objekti kaloi shumën e 30.000.000 euro.
Ndërtesa e Filarmonisë duhej të kushtonte 5,8 milionë euro, por u bënë gjithsej 7.100.000 euro, dhe atë për:
– Shërbime projektuesish 50.000 euro
– Mbikëqyrje profesionale 130.000 euro
– Punë plotësuese 80.000 euro
– Projekt për matjen e akustikës 250.000 euro
Aktualisht për Shkupi 2014 të gjitha shpenzimet mbesin në korniza ligjore, pasi asnjë nga anekset nuk ka kaluar shumën e 30% nga marrëveshja bazë. Pyetëm ekspertët, a jemi dëshmitarë të diçkaje që quhet “korrupsion legal”?
“Rregull themelore është se ligjet vlejnë njëjtë për të gjithë dhe duhet të ekzekutohen ashtu siç janë. Çdo aneks dhe çdo marrëveshje bazë duhet të shqyrtohen së bashku si një tërësi. Nëse kalohen cenzuset të dhëna në Ligjin për furnizime publike, institucionet duhet të reagojnë konkretisht” – shpjegon kryetarja e Transparency International, Slagjana Taseva.
Përpos se me Anekse, manipulimet bëhen dhe në mënyra të tjera, në raste kur hapet procedura e tenderimit, Maqedonia në mënyrë misterioze ndodh që kushtet e nevojshme cdoherë ti plotësojë një kompani e vetme thonë nga Transparency International. Me këtë partitë qeveritare përmbushin obligimet e marra gjatë fushatës parazgjedhore ndaj kompanive të caktuara.
“Paligjshmëria në furnizimet publike më së shpeshti rrjedh nga institucionet gjegjësisht nga qeveria. Më së shpeshti niveli i korrupsionit politik, gjegjësisht shlyerja e marrëdhënieve huamarrëse të cilat krijohen gjatë zgjedhjeve, më së miri mund të analizohet përmes furnizimeve publike. Kjo përfshin edhe sferën e publikimit të fushatave në media. Tenderët dhe shpalljet në shumicën e rasteve i marrin kompani dhe media të afërta me strukturat politike qeverisëse. Që të mund kjo të realizohet bëhen procedura të kurdisura të tenderëve” – konstaton z. Taseva.
Shembull konkret për këtë është agjencia e marketingut “Republika” e cila deri më tani thuajse i ka marrë të gjithë tenderët e Qeverisë dhe Ministrive për reklamimin e tyre. Për reklamim të Ministrisë së shëndetësisë vetëm këtë vit “Republika” do të merr thuajse 150 mijë euro, ndërsa ministri i shëndetësisë Nikolla Todorov pohoi se kjo agjenci vite me radhë merr nga 9 milionë denarë për promocion të projekteve të MSH. Nga 500 mijë euro për fushata të reklamave për turizëm, 406 mijë euro Qeveria i dha agjencisë “Republika”. Për fushatat për inicim të inovacioneve dhe mendimit kreativ te qytetarët nga 500 mijë euro Republika mori 334 mijë euro për materiale propagandistike. Ministria e financave i dha “Republikës” 305 mijë euro për fushatën “Blej shtëpi- blej banesë”,nga ministria thanë se vetëm kjo agjenci kishte pasur ofertën më të lirë.
Sipas raporteve të revizorit si dhe konstatimeve të Qendrës për komunikime qytetare i dyshimtë në sistemin e furnizimeve publike është dhe motivi për anulimin e procedurës së tenderimit. “Në vitin 2011 janë anuluar 21% e tenderëve. “Pjesa më e madhe e tenderëve të anuluar ishin ato që kishin më shumë ofertues” thonë nga QKQ.
Është fakt se askush nuk ndjek si harxhohen paratë publike ndërsa Parlamenti ka dy vite që ka ndaluar diskutimin publik për raportet e Entit shtetëror për revizion, institucion shetëror ky i vetëm që konstaton shkelje të rënda. Por edhe përpos këtyre konstatimeve, indikativ është fakti se të rralla kanë qenë rastet kur është ngritur procedurë penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kuadër të furnizimeve publike. Pse askush nuk është dënuar deri më tani?
“Procedura gjyqësore për keqpërdorim në sektorin e furnizimeve publike mund të jetë penale, procesore dhe administrative. Që të ngrihet procedurë gjyqësore është e domosdoshme që së pari të konfirmohet shkelje të ndonjë pjese të procedurës për furnizim publik. Ka informacione për ngritje të procedurave para gjyqit administrative, të cilat kanë të bëjnë me anulimin e procedurave për furnizime publike, por zgjidhja e këtyre kontesteve shkon shumë ngadalë” konstaton Slagjana Taseva nga TIM.
Sa i përket procedurave penale, sipas rregullave përgjegjësinë penale së pari duhet ta paraqesë dhe bindshëm ta arsyetojë Prokuroria Publike. Ndërkohë mund të vepron edhe MPB.
“Përkundër numrit të procedurave administrative, për të cilat nuk ka interes në opinion edhe pse seriozisht tangojnë ekonominë, procedurat penale në këtë sferë pothuajse nuk ekzistojnë ose janë të pakta në numër. Kjo gjendje është brengosëse si në aspektin e parandalimit gjeneral ashtu edhe në aspektin e principit të përgjegjësisë dhe dënimin joproporcional të kryerësve të veprave penale. Për fotografinë që krijohet në Republikën e Maqedonisë është shumë e rëndësishme ndërlidhja në funksionimin e institucioneve. Pas tendencave të cilën janë, siç thoni, në raportet e Entit Shtetëror për Revizion, duhet patjetër të ketë reagim nga ato që i marrin këto raporte në detyrë zyrtare dhe janë të obliguar ti marrin parasysh vërejtjet të theksuara në to” – konstaton Slagjana Taseva.
Eksperti për çështje ekonomike Izet Zeqiri, deputeti aktual i Rilindjes Demokratike Kombëtare thotë se vetë Revzioni nuk e kryen punën deri në fund.
“Revizioni shtetëror kur konstaton keqpërdorime duhet të ngrejë procedurë në prokurorinë publike.
Tash për tash kemi shkelje të rënda të cilat vetëm konstatohen ndërsa asgjë nuk ndërmerret të dalin keqpërdoruesit para gjykatës. As revizioni nuk e kryen punën e tyre deri në fund” thotë Zeqiri.
Ai si rrugëdalje nga kjo situatë e turbullt, në kuadër të partisë së tij në Parlament ka propozuar një ligj që të shqyrtohen raportet e Komisionit të Revizionit shtetëror.
“Kemi propozuar formimin e një Komisionit i cili do të ndjek shpenzimin e parave publike, i cili do të do të analizon raportet e Komisionit të Revizionit shtetëror. Në Parlament askush nuk i analizon këto raporte andaj dhe s’dihet kush çfarë bën. Ky është dhe rekomandim i Komisionit Evropian, të shqyrtohen raportet e revizionit “ thotë Zeqiri.
Pyetjen e njëjtë e parashtruam edhe para Drejtorisë për furnizime publike, gjegjësisht Drejtoreshës së këtij organi Mare Bogeva Micovska. Ata i ikën komentimit të parregullsive dhe përfshirjes së strukturave politike në skandale korrupsioni, duke u përqendruar në citimin e Ligjit për furnizime publike.
“Në pajtim me nenin 32 të Ligjit për furnizime publike, Organi kontraktues është i obliguar në dokumentacion e tenderit ti paraqet kërkesat, kushtet, kriteret dhe informata tjera të domosdoshme, me qëllim që të ju siguron operatorëve ekonomik informata të plota, të sakta dhe precize në lidhje me mënyrën e realizimit të procedurës për ndarje të marrëveshjes për furnizime publike. Gjatë kësaj, në pajtim me nenin 2 të ligjit, organet kontraktuese nuk guxojnë të vendosin kërkesa, kushte ose kritere të cilat diskriminojnë, gjegjësisht favorizojnë ndonjë nga operatorët ekonomik. Si rrjedhojë, kompanitë të cilat dorëzojnë ofertat në procedurat për ndarjen e marrëveshjes për furnizim publik, duhet të plotësojnë kriteret të cilat i kërkon organi kontraktues, nëse oferta e tyre është marrë parasysh. Sa u përket pyetjeve tjera, Drejtoria për furnizime publike, në pajtim me kompetencat ligjore të cilat janë të numëruara taksativisht në nenin 14 të Ligjit, nuk ka kompetenca të mbikëqyr lidhjet mes operatorëve ekonomik” thotë z. Bogeva Micovska.
Në vitin 2010 nga numri i përgjithshëm i konstatimeve të parregullsive nga ana e Revizorit, më pak se 20 % kanë të bëjnë me furnizime të bëra pa procedurë, furnizime që janë marrë para nënshkrimit të marrëveshjes ose në bazë të marrëveshjeve me afat të skaduar. Ndërkaq, në 18 % të rasteve shkeljet ligjore kanë të bëjnë me fazën e vlerësimit: ku ka parregullsi në përgatitjen e listës së rangimit, propozimit për zgjedhjen e ofertuesve më të mirë si dhe marrjes së vendimit më të mirë për zgjedhjen e ofertuesit, shkruhet në raportin e Drejtorisë për furnizime publike.
Përderisa nuk ka dënime reale për shkelësit e ligjeve të cilët me gjasë janë pjesëtarë të rëndësishëm në krijimin e politikave të vendit, atëherë, vërejtjet për keqpërdorim të furnizimeve publike dhe kurdisje të tenderëve për qëllime të ngushta politike, partiake e personale do të mbeten dyshime, shkrime gazetarësh e akuza parazgjedhore.
(Storja hulumtuese është mbështetur nga rrjeti gazetaresk hulumtues danez SCOOP)