25.06.2012 Me mospublikimin e Raportit të GREKO-s, organ ky i Komisionit Evropian për pengimin e korrupsionit Qeveria dëshmon se nuk ka vullnet politik për të kontrolluar se si financohen partitë, akuzoi Transparency International Maqedoni.
Institucionet të cilat sipas funksionit të tyre duhet të kryejnë mbikëqyrje dhe kontroll, ndërsa sipas natyrës duhet të jenë të pavarura, siç janë Enti shtetëror i revizionit dhe Komisioni anti-korrupsion, edhe vetë janë lëshuar nën praktikën e leximit të gabuar dhe në mënyrë të selektuar të ligjeve, akuzon Transparency International-Maqedoni.
Transparency gjithashtu kritikoi edhe Prokurorinë e përgjithshme. Sipas tyre, nuk e pa të udhës të hap procedurë penale për rastin ‘Listat me nënshkrimet e personave’ që u publikua në televizionin A1 gjatë zgjedhjeve të kaluara, ku të punësuarit në administratë me anë të kërcënimeve apo premtimeve detyroheshin të japin nënshkrimin e tyre se do të votojnë për parti të caktuar, tha Sllagjana Taseva, drejtore e TI-Maqedoni.
‘Në vend të kësaj krijohet një pushtet absolut që imponon pyetjen, kush do t’i kontrollojë kontrollorët? Raportet e Entit për revizion për financimin e fushatave janë joligjore dhe jashtë standardeve, revizorët nuk e kryejnë funksionin për mbikëqyrje dhe kontroll, revizorët nuk i kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe nuk kanë sanksionuar përgjegjësit për fushatat zgjedhore’, tha Taseva.
Transparency gjatë analizës së raporteve të lëshuara nga këto dy institucione konkludon se pushteti ka krijuar një sistem korrupsioni që vetë mirëmbahet, situata në media edhe më tej ngelet shqetësuese, ndërsa sektori civil gjithnjë humb peshën e vet ndikuese, andaj u ngelet vetëm organizatave ndërkombëtare ta vlerësojnë në fusha të veçanta.
Taseva akuzoi Qeverinë se me qëllim fsheh dhe nuk e publikon Raportin e 46-të të Kuvendit të përgjithshëm të GREKO-s, ku nga 13 rekomandime 7 kanë të bëjnë me financimet politike.
Sipas saj, Qeveria i ik publikimit të tyre, sepse ai përmban vlerësime jo të favorshme për çështjen kryesore që kërkon KE, një organ të pavarur që do të ketë mandat, ingerenca, dhe resurse të mjaftueshme dhe të bëjë supervizion efikas, hetim dhe zbatim të rregullores për financimet në politikë.
Ndryshe, gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare VMRO-DPMNE ka paraqitur se ka shpenzuar 272.334.493 denarë apo rreth 4.4 milion euro, dhe është shpenzuesja më e madhe nga zgjedhjet e një viti më parë, LSDM-ja ka shpenzuar rreth 285 mijë auro, BDI 5.312.511 apo rreth pesëdhjetë herë më pak se partneri i tyre i koalicionit dhe PDSH 2.735.368.
Gjithsej raporte kanë dërguar 33 parti politike, nga gjithsej 13 organizatorë fushatash. Sipas ligjit për financimin e partive politike, çdo donacion që i jepet partisë së caktuar politike, duhet të kalojë përmes xhirollogarisë që hapet enkas për fushatë, nga një person përgjegjës, ndërsa e njëjta mbyllet menjëherë mbas përfundimin të zgjedhjeve.
Në Maqedoni rasti më i freskët për financim joligjor të zgjedhjeve është ai i kryetarit të partisë Të bashkuar për Maqedoni, Ljube Boshkovski, të cili një ditë pas zgjedhjeve të 5 qershorit 2011-të policia i zuri nje sasi parash kesh prej 100 mijë eurosh, të cilat nuk ishin të regjistruara askund, me ç’rast ai u burgos, ndërsa u dënua me 7 vjet burgim.
Burimi: Portalb