Strasburg, 20 shtator – Këshilli i Evropës do të vlerësojë në raportin e saj për Maqedoninë se efikasiteti gjyqësorit në vendin tonë ka shënuar përparim.
Lajmi bëhet i ditur nga Agjencia “MIA”, ku thuhet se sot pritet të publikohet raporti i Komisionit për Efikasitet të Gjyqësisë pranë Këshillit të Evropës, ku jepen të dhëna dhe statistika që i provojnë pohimet e saj.
Sipas këtij raporti, detajet e të cilit i sjell “MIA”, Maqedonia radhitet në mesin e Evropës për nga periudha mesatare e zgjidhjes së një lënde – pra, nevojiten mesatarisht 259 ditë për t’i dhënë fund një lënde.
Më tej, në raport thuhet se Maqedonia është vendi ku procedurat për shkurorëzim kryhen më së shpejti në Evropë, edhe atë për 117 ditë në vitin 2010.
“Kur të shihet se Maqedonia ndan për gjyqësinë vetëm 14 euro në vjet për kokë banori, krahasimi me Francën nuk ka kuptim. Por, ajo mundet të krahasohet me vendet e rajonit, si Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, gjegjësisht Maqedonia ndan më shumë mjete se Shqipëria ose Moldavia. Ajo ndodhet në mesataren e shteteve të rajonit”, ka theksuar Sekretari i Komisionit për Efikasitet të Gjyqësisë pranë Këshillit të Evropës, Stefan Lejenberzhe.
Ai ka deklaruar se qëllimi i raportit nuk është rangimi i 47 shteteve-anëtare të Këshillit të Evropës, por instrument i vënë në dispozicion të autoriteteve shtetërore për të mundur ata vetë të bëjnë krahasim me shtetet e tjera.
Burim: Zhurnal