29.01.2013 Problemi me jo-transparencën e donacioneve të dedikuara Bashkimit Demokratik për Integrim qëndron në mos-publikimin e dokumentacionit të plotë në ueb-sajtin e Entit shtetëror për revizion (ESHR). Kështu thonë nga BDI pasi që në këtë ueb-sajt u gjend një dokument në të cilin ndërmarrjet publike, institucionet shtetërore dhe komunat rezultojnë të jenë financues të BDI-së për vitin 2011. Pas reagimit të Portalb, dokumenti u plotësua me të dhënat përkatëse.
“Ne i kemi dërguar të gjitha dokumentet deri te Enti. Ata nuk i kanë publikuar. Në dokumentacionin tonë qëndron edhe një sqarim plotësues në të cilin shkruhet se kush janë personat që kanë dhënë para për BDI-në që punojnë në Parlament, në Postë dhe nëpër komuna.” tha për Portalb, Bejtulla Ademi, përgjegjës për çështje financiare në BDI.
Zëvendës drejtori i Entit, Naser Ademi i cili është kuadër i BDI-së pranoi se përgjegjësia për mos publikimin e pjesës plotësuese bie mbi Entin. Atë e pyetëm pse ESHR nuk ka publikuar më herët të dhënat e plota për partitë politike, ai tha se
“Raportet i marrim nga banka, si të tilla i publikojmë. Ndërsa pjesën plotësuese me sqarime për donatorët e punësuar në instrivutione nuk e kemi publikuar. Së shpejti do ta bëjmë edhe këtë” tha Ademi për Portalb dhe më pas publikoi dokumentin plotësues.
Ekspertja për anti-korrupsion dhe drejtoresha e organizatës Transparency International Maqedoni e cila përcjell keqpërdorimet e parave publike Sllagjana Taseva kritikoi ashpër ESHR-në duke theksuar se ky institucion në vend se të punojë si i pavarur ai vihet në shërbim të partive politike.
“Kjo është një sjellje tejet jo-profesionale dhe e papërgjegjshme e Revizorit kundrejt punës së ata duhet ta bëjnë. Ata duhet të punojnë si institucion i pavarur e jo si institucion i cili i mbron interesant e partive, në këtë rast të BDI-së. Nuk është hera e parë që ESHR punon në mënyrë selektive dhe deri më tani sa i përket kontrollit të financimit të partive politike ata kanë preferuar partitë në pushtet” tha Taseva.
Ajo theksoi se duhet kërkuar përgjegjësi për këtë punë të papërgjegjshme.
Në dokumentin e ESHR përpos emrave të individëve dhe sasisë së parave që ata kanë dhënë për BDI-në, u gjenden pa sqarim dhe Parlamenti i Maqedonisë, Ministria e bujqësisë, Agjencia për patundshmëri, Shtëpia ndëshkimore në Strugë, Komuna e Çairit, Komuna e Vrapçishtit, Komuna e Likovës, Sh.A “Postat e Maqedonisë” dhe të tjera. Mos publikimi i tillë i dokumentit nga ESHR të le përshtypjen se institucionet në fjalë kanë dhënë para për BDI-në.
Burim Portalb