Në periudhën nga prilli deri në qershor 2022, në kuadër të projektit të Transparency International Maqedoni, “Vlerësimi i cenueshmërisë nga korrupsioni në institucionet shtetërore dhe autoritetet lokale për planifikim hapësinor, urbanizëm dhe ndërtim”, është përgatitur raporti i dytë tremujor për monitorimin e zbatimi i rekomandimeve të përgatitura nga Transparency International Maqedoni për institucionet publike për tejkalimin e rreziqeve të korrupsionit në këto fusha, transmeton Portalb.mk.
Hulumtimi tregoi se interesimi i institucioneve për përmbushjen e rekomandimeve është ende në nivel të ulët, por se ka aktivitet të shtuar të autoriteteve lokale dhe ekzekutive për zbatimin e rekomandimeve. Nëpërmjet takimeve me përfaqësues të pushtetit lokal, KShPK-së dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, u konstatuan pikat fillestare për tejkalimin e rreziqeve të korrupsionit në këto fusha:
- Vendosja e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, DKSK, Transparency International – Maqedoni, Agjencisë për planifikim hapësinor përmes takimeve të drejtpërdrejta, caktimit të personave përgjegjës për komunikim dhe grumbullim të informacionit;
- Përfshirja e komunave dhe obligimi për monitorimin e progresit në përmbushjen e rekomandimeve, si dhe më shumë trajnime për komunat në lidhje me ndryshimet e ligjeve;
- Raportet duhet të përdoren në mënyrë aktive në rishikimin antikorrupsion të legjislacionit (RAL) dhe t’i dorëzohen rregullisht ministrive resore dhe qeverisë.
Sipas Transparency, fakt është që reformat në urbanizëm janë proces i gjatë që varet nga shumë faktorë. Organet e ekzekutivit dhe të pushtetit vendor, të cilat kanë kompetencë në lidhje me rregulloret ligjore pozitive në fushën e urbanizmit dhe planifikimit hapësinor, si dhe zbatimin e tyre, duhet të jenë më aktivë për të ulur rrezikun e korrupsionit në ato organe, por edhe ndërgjegjësimit në institucione, përkatësisht çdo mosndryshim i dispozitave ligjore të rrezikshme do të thotë një tjetër hap prapa.
“Kompetencat e mëdha diskrecionale të pushtetit lokal, mungesa e dispozitave ligjore të mirëformuluara, konflikti i dispozitave ligjore si dhe interpretimi i ndryshëm i normave juridike nga njëra anë, por edhe ndryshimet e shpeshta të ligjeve nga ana tjetër krijojnë rrezik të rritjes së korrupsionit. Në këtë drejtim, nevojitet bashkëpunim dhe koordinim i forcuar ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, pushtetit lokal, Komunitetit të Njësive të vetëqeverisjes lokale dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për të kapërcyer rreziqet e korrupsionit dhe për të gjetur zgjidhje të koordinuara për zbatimin e rekomandimeve”, thuhet në raportin e Transparency Maqedoni.
Transparency International Maqedoni, thuhet më tej në njoftim, mbetet e hapur për mbështetje dhe bashkëpunim me institucionet në drejtim të tejkalimit të rreziqeve nga korrupsioni në këto fusha.
Portalb: https://bit.ly/3p78xDq