Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit sot në konferencë për shtyp reagoi për rastin e zjarrit në spitalin modular, duke i bërë kërkesë zyrtare Ljubomir Joveski të japë dorëheqje nga funksioni Prokuror Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, raporton Portalb.mk.
“Duke marrë parasysh veprimin e Prokurorisë Publike në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës në të cilin humbën jetën 14 persona, Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit ju paraqet këtë shkresë, me kërkesë për dorëheqjen Tuaj nga pozita e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut” thanë nga Platforma, e cila ka vlerësuar se hetimi për rastin e spitalit modular, ku humbën jetë 14 persona, nuk është i plotë dhe ka dyshime për realizim joprofesional të procesit gjyqësor nga ana e prokurorisë publike.
“Nga filmi dokumentar “Vrasja në Tetovë”, hetimi i prokurorisë publike për rastin nuk është i plotë dhe nuk vlerëson mjaftueshëm konkluzionet e paraqitura në Ekspertizën Zyrtare të ekspertëve gjermanë, si rezultat i së cilës në publik bisedohet për dyshime në lidhje me procedimin joprofesional të prokurorisë dhe neglizhimin e rrethanave që mund të zgjerojnë akuzat dhe të inkriminojnë personat e tjerë publik”, deklaruan nga Platforma.
Darko Aramovski, një nga përfaqësuesit e Platformës shtoi se Prokuroria Themelore Publike për Antikorrupsion duhet të hetojë edhe raportet e dyshimta për ndërtimin e spitalit dhe se akoma nuk dihet çfarë në fakt po ndodh me hetimin e tyre.
“Kjo pasohet nga fakti se Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ende po heton pretendimet për korrupsion në zbatimin e prokurimit publik në këtë rast, përkundër faktit se afati nga neni 301 i LPP-së tashmë është tejkaluar, dhe nuk i janë ofruar shpjegime publikut se pse është shtyrë afati në përputhje me paragrafët 2 dhe 3 të të njëjtit nen, ose pse përkundër kësaj zgjatjeje, hetimi nuk rezulton në përfundim“, thotë Snezhana Kamilovska Trpovska, një nga përfaqësuesit e Platformës.
Misha Popoviq nga Platforma, tha se ka mjaftueshëm material për t’u përdorur si akuzë dhe kjo është qartë e dukshme, sepse “Sipas dokumenteve të IRL duket se shumica e punëve janë të qarta vetëm se nuk janë marrë parasysh gjatë ngritjes së akuzës. Kërkesë e Platformës është të merren parasysh përfundimet e dhëna nga ekzaminimi i ekipit gjerman, të cilat tregojnë se duhet të zgjerohet lista e të pandehurve“.
Së fundmi, tre përfaqësuesit e Platformës, i bënë thirrje prokurorit Ljubomir Joveski të japë dorëheqje.
“Duke pasur parasysh të gjitha sa më sipër, dhe duke marrë parasysh parimet e hierarkisë dhe varësisë, si dhe faktin se Prokuroria Publike është organi i vetëm, konsiderojmë se Ju (Joveski) duhet të jepni dorëheqje si Prokuror Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thanë ata.
Ndryshe, në dokumentarin e publikuar nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL) në lidhje me zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 persona, në thelb edhe një herë tregon se fajtorët e vërtetë për shkaktimin e zjarrit nuk janë prapa grilave. Sipas informatave të zbuluara, veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale dhe atë ish ministri Venko Filipçe, Koço dhe Todor Angjushev nga Kompania “Brako” e cila ndërtoi modularin, Vanja Andonova, si dhe të tjerët të përfshirë në proces. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular, hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.
Pas shfaqjes së dokumentarit, u organizua protestë para Gjykatës Themelore të Tetovës.
Rikujtojmë që pati një proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u gjykuan për shkaqet e zjarrit, por për vepra tjera penale, me dënimet e shqiptuara ishin me kusht. Florin Besimi, Artan Etemi, Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës u akuzuan për vepra të tjera penale të cilat lidheshin me sigurinë në spital si dhe mosveprimin në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohë të pandemisë.
Burimi: Portalb.