Në Maqedoninë e Veriut korrupsioni është ende në nivel shumë të lartë dhe nuk ka përmirësim real në punën e shumicës së institucioneve që duhet të jenë në krye të luftës kundër korrupsionit, deklaroi kryetari i organizatës “Transparency International Macedonia” Bllagoja Pandovski gjatë prezentimit të rezultateve të indeksit të Perceptimeve të Korrupsionit për vitin 2023. Ai sqaroi se analiza përfshin 180 shtete të botës, ku RMV radhitet e 76 me 42 pikë të realizuara nga gjithsej 100. Ai theksoi se çdo rezultat nën 50 pikë tregon për probleme serioze të korrupsionit në sektorin publik.
BLLAGOJA PANDOVSKI, KRYETAR I ORGANIZATËS “TRANSPARENCY INTRNATIONAL MACEDONIA“
“Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2023 e rendit Maqedoninë e Veriut në pozitën e 76-të me 42 pikë, që është vetëm 2 pikë më shumë se rezultatet e paraqitura në lidhje me Indeksin e Korrupsionit për vitin 2022 kur RMV kishte 40 pikë. Megjithatë, këto 2 pikë rezultuan me një kërcim në pozitën e RMV-së për 9 vende më lart në tabelë, kështu që për dallim nga viti i kaluar kur ishim në vendin e 85, këtë vit jemi në pozitën e 76. Sa i përket rezultateve të marra për Indeksin e fundit të Perceptimit të Korrupsionit, mendimi ynë është se në Maqedoni korrupsioni është ende në nivel shumë të lartë”.
Pandovski tha se ndryshimi i kodit penal i cili solli uljen e dënimit me burg dhe shkurtimin e afatit për vjetërsimin e veprave për keqpërdorim të detyrës zyrtare i cili sipas tij u soll në mënyrë jotransparente dhe me procedure të shpejtë , presioni mbi gjyqësorin siç kishte deklaruar kryetarja e Gjykatës së Lartë, Besa Ademi , skandalet me punësimet partiake, zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe rasti i sulmit ndaj punonjësve të M-NAV-së, i cili shkaktoi një numër të madh komentesh negative si nga opinioni profesional vendas ashtu edhe nga aktorët ndërkombëtarë në vend, janë lëndë të pafavorshme në seksionin e sanksionimit dhe luftës kundër korrupsionit. “Institucionet e sistemit mbeten të shurdhër ndaj kritikave dhe rekomandimeve për luftën kundër korrupsionit, gjë që vërehet në faktin se shpesh në opinion shpaloset nga një skandal korruptiv” tha Pandovski.
Burimi: Tv Shenja