19.04.2010 Zgjedhja e kryetarit të ri të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit është ngjarja bindshëm më e pastër në mars të këtij vit, përderisa i pari në mesin e ngjarjeve të turbullta është mospublikimi i lartësisë së borxhit që shteti e ka ndaj sektorit privat.
Kështu votuan 16 kryeredaktorë të mediumeve elektronike dhe të shtypura në Maqedoni, të cilët morën pjesë në anketën mujore „Pastër-Turbullt“ të Agjencisë së lajmeve Makfaks dhe të organizatës joqeveritare „Transparencë zero korrupsion“.
Me 15 vota zgjedhja e kryetarit të ri të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit Ilmi Selami dhe premtimi se antikorrupsionerët do të punojnë në mënyrë transparente dhe për çrrënjosjen e parregullsive të përmendura në raportin e Komisionit Evropian, është shpallur ngjarja më e pastër.
Vetëm një votë për ngjarje të pastër morën stërvitjet për parandalimin e larjes së parave, që i organizon Drejtoria për parandalimin e larjes së parave dhe financimin e terrorizmit.
Më së shumti, gjithsej shtatë vota, për ngjarje të dyshimtë fitoi mospublikimi i lartësisë së borxhit që institucionet shtetërore e kanë ndaj sektorit privat. Biznesmenët në mars kërkuan nga Qeveria të dalë me shifrat e sakta të borxhit të ndërsjellë, ndërsa sipas informatave të pavërtetuara borxhi i shtetit ndaj ekonomisë ka arritur 100 milionë euro.
Në vendin e dytë në mesin e ngjarjeve të turbullta, me pesë vota u gjet rasti me gardistët – kriminelë, prej të cilëve njëri është i dyshuar për vrasje, ndërsa tjetri për plaçkitje, që i hapë dilemat për mënyrën e punës së pjesëtarëve të forcave elite të sigurisë.
Parregullsitë dhe shpenzimet joekonomike të parave në Agjencinë për investime të huaja, të përcaktuara nga revizioni shtetëror u has në vendin e tretë në mesin e ngjarjeve të turbullta në mars të këtij viti.
Në anketën „Barometër dhe korrupsion“, që prej vitit 2005 e zbatojnë agjencia e lajmeve Makfaks dhe organizata joqeveritare „Transparencë zero korrupsion“, në muajin mars morën pjesë redaktorët e televizioneve А1, Kanal 5, Telma, Alfa TV, Nasha TV, Alsat dhe gazetat Utrinski vesnik, Dnevnik, Vest, Nova Makedonija, Globus, Kapital, Fokus, Lajm, Biznis dhe Forum.